Letërkëmibimit virtual me Lulzim Bashën kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund me një të gjashtë, e cila është më e shkurtër dhe një përmbledhje e pesë të parave, ku kryefjala është ftesa për dialog.

“Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit. S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra dhe çka mbetet ende ndoshta, është detyrimi për të përmbledhur disa nga gjërat kryesore që janë thënë e shkruar”, shprehet kryeministri në letrën e tij.

Për Edi Ramën aksioni i ri politik i opozitës është fiks si ngritja e çadrës dy vite më parë, përpara zyrës së tij.

“Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor. Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021”, shkruan ai.

Rama i shkruan “mikut” të tij Lulzim Basha se po pëson një humbje të mbështetjes në atë që e cilëson një aventurën pa rrugëdalje madje I dërgon edhe një paralajmërim.

“Besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht”m thuhet më tej në letrën publike.

Rama i rikujton Bashës se kohës për të dialoguar po i vjen fundi.

“Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!”, shkruan Rama.

Përbetimin e Lulzim Bashës se më 30 Qershor nuk ka zgjedhje pa opozitën, Edi Rama i përsërit të njëjtën përgjigje.

“Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim. Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim”, thuhet më tej në letër.

Top Channel