Ky është pusi i naftës “Shpiragu 4”, që ndodhet pranë Beratit në bllokun e kërkimit të hidrokarbureve 2-3 në Shqipëri. Kompania Shell ka marrë të drejtat e kërkimit dhe shfrytëzimit te naftës për blloqet 2-3 dhe 4 në vendin tonë.
Brenda kësaj hapësire që është rreth 4 mijë kilometra katrorë janë identifikuar burime të tjera të mëdha hidrokarbure, ende të pavlerësuara, por që sigurojnë mundësi për aktivitete të mëtejshme eksploruese.
Kompania Shell thotë se deri tani ka shpenzuar mbi 400 milion dollarë për kërkimet e naftës në Shqipëri. Shpimi në pusin “Shpiragu 4”, i ka kaluar 6 mijë metrat. Testimi nga Shell konfirmoi potencialin e sasive të naftës në këtë zonë ku llogariten të nxirren mijëra fuçi në ditë. Testimet do të kryhen edhe në puset e tjera të Shpiragut për të përcaktuar rezervuarin e plotë të naftës. Pasi të behet vlerësimi do përcaktohen dhe zonat e nxjerrjes së naftës.
Përfaqësues të kompanisë thanë për Top Channel se situata është premtuese dhe se pas testimeve parashikohet nisja e shfrytëzimit që do të behet pas vendimit përfundimtar të investimit. Përveç se rezervat pritet të jenë të kënaqshme, cilësia e naftës është shumë herë më e mire se ajo e Patos-Marinezës. Prodhimi i saj do të shkojë për eksport pasi përpunimi kërkon teknologji të avancuara.
Shell hyri si investitor në bllokun 2-3 të kërkimit të naftës në Shqipëri në 2012. Një vit më vonë zbuloi naftë në Shpirag, që është një zonë malore, ndërkohe që tashmë është shumë pranë përcaktimit të rezervave.
Top Channel