Automjetet që dalin nga kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë, nuk do të kontrollohen me vetëm nga Policia Shqiptare.

Efektivët e misionit Frontex në vendin tonë, të cilët do të bëjnë edhe kontrollin e makinave.

Në vetëm pak ditë, policia në bashkëpunim me Frontex, kanë bërë të mundur ndalimin e 24 emigratëve të huaj, të cilët kishin hyrë ilegalisht, duke përdorur shtigjet e kufirit të gjelbër.

Prej disa ditësh, rreth 50 forca operacionale të Frontex, po patrullojnë në kufirin e gjelbër, midis Shqipërisë dhe Greqisë, me qëllim parandalimin e emigrimit të paligjshëm, por edhe trafiqeve të tjera.

Drejtori i Pikës Kufitare në Gjirokastër, Idajet Hoxha, e konsideron bashkëpunimin me Frontex, besim të rritur ndaj policisë shqiptare.

“Është shkëmbim eksperience, njëkohësisht është edhe besim i rritur i shteteve anëtare të komitetit Europian ndaj shërbimeve të policisë shqiptare”, u shpreh Idajet hoxha, Drejtori i Pikës Kufitare, Gjirokastër.

Në Kakavijë, patrullimet e Frontex janë të ndara në 7 grupe, ku përgjegjës është roja i kufirit në policinë shqiptare.

“Përgjegjësi kryesor nga ana dokumentare, është roja kufitare shqiptare. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë kompetenca. Ata njëkohësisht me shërbimet tona, kryejnë të gjitha procedurat e rojes kufitare. Përcaktuesi është roja kufitare shqiptar”, tha drejtori i kufirit.

Në pikën kufitare të Kakavijës, Frontex ka vënë në shërbim 29 forca policore, ndër ta një ekspert për dokumentat e falsifikuara, ndërsa në atë të Kapshticës janë në patrullim 21 efektiv, mese tyre një ekspert për automjetet e vjedhura. Rreth 300 kilometra të kufirit të gjelbër, do të jenë nën patrullimin e Frontex, për një afat të papërcaktuar.

Top Channel