Skënder Gjinushi, kandidati i vetëm për kryetar të Akademisë së Shkencave, është zgjedhur nga 43 anëtarë të Akademisë së Shkencave të pranishëm në votime, për të drejtuar këtë institucion për 4 vitet e ardhshme.

Në procesin zgjedhor, ku dy vota u shpallën të pavlefshme, morën pjesë 43 akademikë, ku 11 prej tyre votuan me postë. Akademiku Artan Fuga në rrjetet sociale, e quajti procesin zgjedhor farsë duke shtuar se shpresonte që Presidenti mos ta dekretonte kryetarin e Akademisë së Shkencave.

“Unë ende shpresoj se Presidenti i Republikës z. Ilir Meta që e ka në kompetencë ekskluzive ligjore miratimin ose jo të kryetarit të akademisë të shkencave nuk do ta miratojë këtë farsë elektorale dhe as rezultatin e saj”, shkruan Fuga.

I pyetur nëse i druhej një mosdekretimi nga ana e presidenti akademiku Gjinushi u shpreh: “Absolutisht jo. Zoti Meta i njeh shumë mirë institucionet plus që edhe marrëdhëniet personale nuk jane të tilla që nuk i dimë se ku i takon vendi njëri-tjetrit”

Në kryesi Vasil Tole është zgjedhur me 35 vota pro Nënkryetar i Akademisë dhe po me 35 vota është zgjedhur edhe Salvatore Bushati si Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave. Në pozicionin e kryetarit të seksionit të Akademisë së Shkencave është zgjedhur Neki Frashëri.

Ndërsa në Akademinë e Shkencave votohej, Partia Demokratike e ka quajtur procesin si një farsë zgjedhore dhe paralajmërim të asaj çfarë kryeministri Rama ka planifikuar më 30 qershor.

Skënder Gjinushi iu largua politikës për të marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave. Ai u votua me 35 vota pro nga 43 anëtarë të Akademisë së Shkencave të pranishëm në procesin zgjedhor. Votimi u parapri nga kritika të forta nga akademiku Artan Fuga i cili këtë të premte nuk erdhi në Akademinë e Shkencave për të dhënë votën e tij.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel