Festivali i Filmit në Kanë, mbrëmjen e së premtes ka dalë nga kornizat. Ishte një natë në nder të regjisorit që u nda nga jeta së fundmi, John Singleton, me filmin e tij “Boyz N the Hood”, që këtë radhë nuk u projektua në sallën e përhershme, por në plazhin e Kanës.
Filmi i dha atij dy nominime për “Oscar” në vitin 1992, duke e bërë atë afro-amerikanin e parë të nominuar në kategorinë e “regjisorit më të mirë”.
“Po shikoja atë tabelën, thotë se filmi ju sjell emocione. Unë ndiej se ‘Boyz N The Hood’ solli këtu dashuri dhe pasion për një lagje që nuk merrte asnjërën prej tyre”, tha Justice Singleton, vajza e John Singleton.
“Boyz n the Hood” është një dramë e adoleshentëve amerikanë, shkruar dhe drejtuar nga John Singleton në debutimin e tij si regjisor, me aktorë si Ice Cube, Cuba Gooding Jr., Morris Chestnut, Laurence Fishburne, Nia Long, Regina King dhe Angela Bassett.
Singleton e kishte krijuar filmin fillimisht në kuadër të aplikimit në shkollën e Kinematografisë dhe ia shiti skriptin “Columbia Pictures” në vitin ’90. Ai ishte frymëzuar jo pak nga jeta e tij dhe e të njohurve dhe kishte këmbëngulur që ta drejtonte vet projektin.
John Singleton, për shumëkënd ishte një legjendë, përveçse një prej të paktëve producentë dhe regjisorë revolucionarë afro-amerikan.
Top Channel