Pikërisht në këtë sallë ditën e nesërme 44 akademi pritet t’i drejtohen kutisë së votimit për të zgjedhur kryesinë dhe këshillin ekzekutiv të Akademisë së Shkencave.

Procesi i votimit do të jetë i fshehtë, ndërkohë që për ata akademike të cilët nuk do jenë prezent mund të votojnë nëpërmjet postës.

Mendohet se procesin zgjedhor do ta udhëheqi akademiku më i vjetër.

I vetmi kandidat për pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, është Akademiku Skënder Gjinushi. Reagimet nuk kanë munguar dhe një prej tyre është edhe akademiku Artan Fuga, i cili thotë se këto zgjedhje janë të paligjshme.

“Këto zgjedhje janë të paligjshme, pasi nuk janë në përputhje me ligjin dhe me statutin e akademisë. Pra kjo mase që është marrë me urgjence është një përpjekje për të uzurpuar akademinë, është në përpjekje për të marre pushtetin ne akademi dhe nuk ka lidhje fare me reformimin e saj, është një anti reformë dhe unë mendoj se këto zgjedhje do ta fusin akademinë në një krizë edhe më të madhe”, tha Artan Fuga.

Si kandidat i vetëm për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Akademiku Gjinushi shprehet se këtë herë është duke u votuar për alternativë.

“Pavarësisht që kjo po ndodh edhe në politik, por sidomos në institucione të ngushta, këtë radhe po votohet për alternativ. Pra nuk është pa kandidaturë, nuk është pa garë, ka një vit e ca që bëhet garë mes një alternative ligjore, të mbështetur nga komuniteti, të mbështetur nga asambleja, të mbështetur nga Europa dhe një alternativë e cila synon de fakto politizimin e akademisë së shkencave”, tha Skënder Gjinushi.

Edhe per tre pozicionet e tjera të kryesisë së Akademisë së Shkencave, ashtu si në rastin e kryetarit, ka nga një kandidat në garë.

Top Channel