Nënkryetarja e partisë opozitare në Zelandën e Re ka bërë thirrje për një hetim, pasi kreu i Kuvendit deklaroi se një përdhunues punonte në administratën e Parlamentin.

Pas publikimit të raportit të shqyrtimit për bullizëm dhe ngacmime në Parlament, kryeparlamentari Trevor Mallard tha se ekzistojnë 3 pretendime për “sulme serioze seksuale” që shkojnë deri te përdhunimi.

Duke folur për një radio lokale këtë të mërkurë, Mallard tha se përshtypja e krijuar nga raporti ishte ajo se, një person është përfshirë në 3 incidente të kësaj natyre dhe se, me të gjitha gjasat, vijon punën në Parlament.

Paula Bennett

“Jemi duke folur për sulme serioze seksuale. Sigurisht, për mua mund të quhet edhe përdhunim, – tha Mallard. – Nëse e lexon me kujdes raportin, besoj se personi është ende aty mes nesh”.

Në reagim ndaj këtij zbulimi, nënkryetarja e Partisë Kombëtare, Paula Bennett kërkoi nga Mallard që të sqarojë komentet e bëra. Ajo tha gjithashtu se, nëse policia nuk ndërhyn në këtë rast, atëherë do të jepej përshtypja e “fshehjes së një krimineli”.

“Janë me dhjetëra njerëz në këtë ndërtesë (Parlament) që kërkojnë përgjigje”. Sipas saj, është “detyrë përkujdesjeje” si për kreun e Kuvendit, ashtu dhe për autorin e raportit Debbie Francis, që të njoftonin dhe përfshinin policinë, nëse ekziston një shkelës i njohur i ligjeve apo autor i një krimi.

Zv.kryeministri Winston Peters tha se personi në fjalë, një mashkull, nuk besohet të jetë deputet.

Raporti për bullizëm dhe ngacmime zbuloi se 50 persona janë ankuar për prekje të padëshirueshme dhe 54 persona kanë raportuar avancime të padëshirueshme seksuale, ndërsa ka edhe 14 raportime për sulme seksuale, 11 prej të cilave janë bërë nga pjesëtarë të stafit aktual.

E pyetur nëse Parlamenti ishte një “zonë e sigurtë” për gratë, Bennett tha se “me sa duket, sot nuk është më i tillë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA