Zv/ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka qenë i ftuar në studion e “Top Talk”, si një prej kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Teksa tregoi se kishte vendosur që të bëhej pjesë e këtij institucioni si një vendim i një qytetari që ka vendosur të jetojë në këtë vend, Toni Gogu u pyet se çfarë mendonte që nuk janë bërë mirë, apo që nuk është bërë e duhura për Bashkinë e Tiranës.

“Ka gjera që mundet dhe do të bëhen më mirë. Ajo çfarë më ka bërë mua përshtypje është solidariteti i qytetit, e cila ka qenë një sfidë më vete. Besoj se ka një sfidë tjetër qyteti, që ka të bëjë me zbatimin e ligjit. Sfida për të zbatuar ligjin në mënyrë se si ndërtojmë, në mënyrën se si përdorim ujin, asetet e qytetit. Në mënyrën se si ndërtojmë të ardhmen tonë, me arsimin me shëndetësinë, etj. Është një sfidë që duhet të vazhdojë e duhet bërë më mirë. Qyteti mund të vazhdojë rrugën e tij në ndërtimin e infrastrukturës së vet, për të jetuar më mirë. Mund të vazhdojë rrugën në ndërtimin e së ardhmes së shkolluar, por mund të vazhdojë rrugën për ndërtimin e jetës sociale të tij. Të një drejtësie sociale, të bërit të punëve të mira”tha ai.

Duke u ndalur në shqetësime konkrete, ai tha: “Ato që shqetësojnë çdo banor të Tiranës. Unë banoj në një zonë rurale, e cila është pak larg qytetit. Më shqetëson fakti se si djali im dhe shokët e tij të mund të kenë të njëjtin park lojërash që janë në disa zona të Tiranës. TË kenë të njëjtin model shkolle si këto që janë ndërtuar këto 4 vite. Një qytet më i pastër, të rregullt, ku sundon ligji, solidariteti”.

Top Channel