Parku Arkeologjik i Antigonesë në Gjirokastër ka çelur sezonin turistik në Ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, me një seri aktivitetesh brenda tij. Të ftuar nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli, Delvina dhe Përmeti u bënë pjesë e shfaqjes që ndërthuri së bashku traditen, folklorin dhe ekspozita në fotografi e pikturë.

Drejtori i parkut, Shkëlqim Guçe tha se në të janë shtuar vizitorët, por ngushtimi i rrugës së dëmtuar po pengon lëvizjen e autobusëve turistikë drejt Antigonesë.

“Për vitin 2018 kemi pasur mbi 1.500 vizitorë, për dallim nga viti 2017. Por, a ka qenë e mundësuar ardhja e tyre këtu? Ka pasur pengesa, sepse në disa pika, e sidomos te segmenti Asim Zenelit dhe fshatit Krin tashmë është i njohur problemi i rrugës së dëmtuar. Autobusët e mëdhenj që vijnë nga shoqëri të ndryshme turistike ndalojnë dhe pengojnë ardhjen e turistëve”, tha Shkëlqim Guçe, drejtor i parkut.

Artizanët në Panairin e Antigonesë sollën punime tradicionale nga lugina e Drinos dhe Vjosës. Ata flasin për traditën që po trashëgohet me vështirësi, por edhe për interesin e tregut turistik për këto produkte.

Parku Arkeologjik i Antigonesë u shpall “Park Kombëtar” disa vite më parë, por promovimi i këtij destinacioni shumë të rëndësishëm të antikitetit është ende minimal.

Qyteti antik i Antigonesë ishte ndërtuar prej Mbretit molos Pirro në vitin 295 para Krishtit. Deri në vitin 168 para Krishtit, kur u shkatërrua, njihej si një prej qendrave më të rëndësishme urbane të antikitetit.

Top Channel