Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur, shifra këto të përmendura nga guvernatori i Xhakartës, pasi grupe bandash janë përplasur me forcat e sigurisë dhe i vunë zjarrin një fjetoreje të policisë e makinave të tjera në kryeqytetin e Indonezisë, vetëm pak pas publikimit të rezultateve zyrtare zgjedhore.

Zëdhënësi i policisë së shtetit, Dedi Prasetyo tha se protestat e organizuara nga mbështetës të një kandidati presidencial, që nuk mundi të fitonte, u kthyen në të dhunshme mbrëmjen e vonë të së martës dhe vijuan të tilla edhe gjatë natës. Policia njoftoi arrestimin e 20 “provokuesve”.

Guvernatori i Xhakartës, Anies Baswedan tha se 6 të vdekur dhe 200 të plagosur ishte bilanci i dhunës, ndërsa shtoi se ekspertë mjekoligjorë nëpër spitale po kryejnë hetime për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tyre.

Një televizion shfaqi protestuesit teksa hidhnin gurë, një fjetore policie në flakë dhe qindra policë të mbledhur për të zmbrapsur protestën në një zonë qendrore të qytetit. Një person raportohet të ketë vdekur pasi pësoi plagë nga një e shtënë arme gjatë përleshjeve.

Prasetyo tha se policia po kryen hetime mbi raportimin për viktima, por theksoi se oficerët e sigurisë në terren, përfshi edhe personelin ushtarak, nuk ishin pajisur me plumba. Policia lokale e Xhakartës ka përdorur vetëm gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit, që goditën forcat e sigurisë me gurë, kokteje molotovi dhe municione të tjera.

Kryeqyteti ka qenë në një situatë të nderë përpara shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të prillit, të cilat konfirmuan këtë të martë presidentin në detyrë Joko Widodo për një tjetër mandat, pasi fitoi 55.5 për qind të votave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA