215 nxënës të shkollës teknike profesionale ” Enver Qiraxhi” prej shtatorit të vitit 2018 nuk kanë marrë bursat. Ndonëse pak ka mbetur nga përfundimi i vitit shkollor ende këta nxënës nuk e kanë marrë pagesën prej 6.600 lekë në muaj që ju takon.
Në redaksinë e Fiks Fare mbërriti ankesa se prej 10 muajsh nxënësit e shkollës “Enver Qiraxhi” nuk kishin marrë bursat ndërkohë që në të gjitha shkollat e tjera ato ishin ndarë. Nxënësit donin të mbeteshin anonim pasi kishin frikë se mos penalizoheshin deri në përjashtim nga shkolla. Në këto kushte bashkëpunëtorët e Fiksit fillimisht shkuan në shkollën” Enver Qiraxhi” për të pyetur në zyrën e financës se ku qëndronte problemi që ende këta studentë nuk i kishin marrë bursat. Sekretarja e zyrës pohoi se listat janë çuar në bashki nga ana e shkollës dhe ishin në pritje që bashkia t’ua kalonte nxënësve në bankë. Në oborrin e shkollës një nxënës pohon se kanë që në fillim të vitit shkollor që nuk i kanë marrë bursat. Ai shprehet se është në vitin e fundit të shkollës, e për pak mbaron dhe s’e di nëse do arrijë t’i marri paratë e bursës.
Fiks Fare u interesua në Bashkinë Pogradec, pranë Drejtorisë së Financës. Punonjësja e zyrës, Irsa Karapança tregon për Fiks Fare se problemi ka ardhur si pasojë e mos çeljes së fondit nga Ministria e Financave. Në Bashkinë Pogradec, kjo është e vetmja shkollë teknike, ndryshe nga shkollat e tjera, bursat e të cilave administrohen nga fondet e bashkisë dhe detyrimet janë përmbushur. Ajo shprehet se janë interesuar pranë ministrisë dhe brenda javës çelet fondi që edhe 215 nxënësit e shkollës teknike “Enver Qiraxhi” të marrin bursat.
Por menjëherë pas interesimit të Fiks Fare i menjëhershëm ishte edhe reagimi. Gjatë kohës që grupi i xhirimit po kthehej në Tiranë, financierja e bashkisë u komunikon mesazhin se fondi i bursave u çel nga Ministria e Financave dhe se shumë shpejt ato do kalonin edhe në llogaritë bankare të nxënësve.
Bisedë me sekretaren në shkollën “Enver Qiraxhi”
Fiksi-Si jeni, si kaluat?
Sekretarja –Denada ( financierja e shkollës ) nuk është, ka marrë leje, përse e deshe?
Fiksi-Jo, doja të pyesja për punën e bursave. Kur mund të vijnë?
Sekretarja-Bursat nuk e di, listat u çuan në bashki, pritet vetëm bashkia të bëjë kalimin në bankë.
Fiksi-E kuptoj. Ishallah s’po vonojnë se…
Sekretarja-Për kë e deshe ti?
Fiksi-Për kushërirën time. Ju jeni financa?
Sekretarja-Jo, unë jam sekretare, po jam me Denadën, se Denada është financë. Në një zyrë prandaj.
Fiksi-Mirë, faleminderit! Mirupafshim!
Bisedë më një nxënës
Fiksi-Ti e hap portën?
Nxënësi-Jo, po më tha ai e po e ndihmoj.
Fijksi-Po për bursën çfarë u kanë thënë kur do vijnë?
Nxënësi-Po aman me s’dimë gjë.
Fiksi-Sa kohë u bëtë juve?
Nxënësi-U bëmë që në shtator pa e marrë.
Fiksi-Që në shtator? Po ju po mbaroni shkollën tani.
Nxënësi- Ne po mbarojmë shkollën, ja unë jam në vit të katërt , ne mbarojmë shkollën dhe asgjë.
Top Channel