Ovacione në “tapetin e kuq” dhe duartrokitje të gjata gjatë projektimit. Për “Once Upon a Time In Hollywood”, filmin e Quentin Tarantinos që konkurron në Festivalin e 72-të të Kanës, pritja ka qenë ajo që rezervohet zakonisht në ngjarje të mëdha.
Një superkast aktorësh, duke filluar nga dy protagonistët Leonardo DiCaprio dhe Brad Pitt, e një akt dashurie ndaj kinemasë. Vetë regjisori ka bërë apel disa herë: Asnjë rrjedhje informacioni për finalen, në mënyrë që të mos iu cënohet kureshtja spektatorëve të ardhshëm.
Plot 25 vite pas “Palmës së Artë” për “Pulp Fiction”, Quentin Tarantino është kthyer në Kanë me filmin e tij të 9, nga 10 gjithsej që ka premtuar se do të bëjë.
“Gjithçka këtu është magjike”, tha ai. Ndërsa duke iu referuar filmit, ai u mjaftua me frazën “rrëfej periudhën kur Hollywood-i ndryshoi”.
Filmi është i vendosur në vitin 1969, por detajet preferohet të mbahen të fshehta deri në verë, kur edhe ai do të zbarkojë në sallat e kinemave. Sidoqoftë, pas projektimit, duartrokitjet kanë qenë të shumta për regjisorin dhe aktorët kryesorë.
Top Channel