Një zarf anonim me një plumb të kalibrit 9 mm u dërgua në adresë të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini.
Zarfi u diktua nga punonjësit e postës së vendit fqinj e iu dorëzua menjëherë policisë që gjeti brenda tij vetëm plumbin, por asnjë mesazh apo simbol tjetër kërcënues. Mungesa e pullës postale dhe e adresës së dërguesit i bënë autoritetet të dyshonin që në fillim.
“Gjëra të tilla nuk më trembin e nuk më zmbrapsin në punën time”, deklaroi Salvini.
“Më shumë sesa një politikë shpeshherë hipokrite, i besoj solidaritetit të miliona italianëve që do të shprehen me anë të votës së tyre të dielën”, shtoi ai.
Përpara disa ditësh, dy zarfe me plumba ishin nisur në adresë të kryebashkiakes së Torinos, Chiara Appendino. Gjatë fundjavës ndërkohë, me qindra vetë pjesëtarë të organizatave antifashiste dhe qendrave sociale morën pjesë në një marshim në Milano për të ngritur zërin kundër politikave të Salvinit, të cilat i konsiderojnë raciste dhe ksenofobe.
Në disa lagje të qytetit verior janë parë të varen nëpër ballkone banera kundër Salvinit. Protesta pati javën e kaluar edhe në Napoli, ku të enjten ministrit të Brendshem iu rezervua një pritje e akullt prej vendasve të zemëruar nga komentet e tij ofenduese për italianët e jugut. Indinjatën e tyre e shprehnin fare qartë pankartat ku thuhej “Jugorët nuk harrojnë” apo “Salvini, ik! Napoli të urren”.
Top Channel