Përfaqësuesja e Kosovës për moshat deri në 21 vjeç arriti me meritë në fazën finale të Botërorit të Hendbollit që do të zhvillohet këtë verë në Spanjë. Por, në hedhjen e shortit të kampionatit ndodhi ajo që nuk pritej.
Në publikimin e emrit Kosovë në shortin e hedhur, delegacioni u përfaqësua me logon e Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe jo me flamurin e shtetit.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka reaguar tek zyrtaret e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit për trajtimin diskriminues dhe jo të barabarte të saj në ceremoninë e shortit për Kampionatin Botëror në Hendboll që u mbajt në Pontevedra në Spanjë. Finalisti u prezantua me logon e FHK-së dhe jo me flamurin Shtetëror te Kosovës.
FHK lidhur me këtë akt ka informuar edhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Ekipi i Kosovës ndodhet në një grup me Portugalinë, Hungarinë, Kroacinë, Brazilin dhe Bahreinin. Botërori i Hendbollit mbahet në muajin korrik në Spanjë, vend ky që e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
Top Channel