Grabitja e 9 prillit në pistën e Rinasit i ka trazuar jo pak ujrat në lidhje me çështjen e sigurisë së aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. Në lëvizje janë vënë si autoritetet shtetërore, ashtu dhe koncesionari.
Brenda verës pritet të ndryshojë menaxhimi i sigurisë në Aeroportin e Rinasit. Burime të sigurta pranë Ministrisë së Infrastrukturës bëjnë me dije se në 7 korrik të këtij viti skadon licenca e kompanisë ICTS Albania, e cila është përgjegjëse për sigurinë në Aeroportin e Rinasit, dhe pritet që kjo licencë të mos rinovohet pavarësisht kontratës që ka me koncesionarin e Rinasit.
Si motiv kryesor i mosrinovimit janë dy grabitjet e ndodhura në pistën e aeroportit ku nën kërcënimin e armëve u morën miliona euro, pjesë të sasive të parave që bankat depozitonin jashtë shtetit. ICTS Albania ka qenë e kontraktuar që në vitin 2005 për ofrimin e shërbimit të sigurisë në Aeroportin e Rinasit.
Koncesionari i Rinasit është vënë në dijeni të kësaj situate, madje ka hapur një tender ku fton kompanitë ndërkombëtare me përvojë për të marrë pjesë.
“TIA fton subjektet/kompanitë juridike ndërkombëtare të kualifikuara dhe me përvojë që duan të shprehin interes të regjistrohen për ofrimin e shërbimeve të sigurisë në aeroportin ‘Nënë Tereza’ të cilat përfshijnë shërbimet e mëposhtme:
– Kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve të dorës
– Skanimi i bagazheve
– Ngarkimin e mallrave dhe postës
– Kontrollin e automjeteve në aeroport, stafin, ekipet dhe kontrollin e dokumentave të udhëtimit
– Ruajtja dhe patrullimi i aeroportit
– Monitorimi i aeroportit përmes sistemeve të sigurisë”.
Shërbimi i kërkuar nis me kontrollin e pasagjerëve, skanimin e bagazheve, mallrave dhe postës, monitorimi me kamera, kontrolli i mjeteve që hyjnë në aeroport, siguria fizike dhe patrullimi me roje. Afati i kontratës është 5 vjet dhe zbatimi nis në korrik të 2019.
Ndërkohë, nga ana tjetër autoritetet shqiptare i kanë kërkuar koncesionarit kinez të aeroportit “Nënë Tereza” që të rrisë standardet e sigurisë me investime të reja. Bëhet fjalë për vendosjen e sensorëve të nxehtësisë përqark perimetrit të aeroportit, shtimin e kamerave të sigurisë dhe një sallë të re operative për monitorimin e tyre.
Top Channel