Në Kanë ka qenë nata e të madhit Pedro Almodovar. “Është një nga netët më të bukura të jetës sime”, tha regjisori i mallëngjyer nga pritja që iu rezervua, plot 10 minuta duartrokitje nga publiku në sallën “Lumiere”, në projektimin zyrtar në Festivalin e Kanës të filmit të tij “Dhimbje dhe madhështi”, që garon për “Palmën e Artë”.
“Në këtë film kam vënë të gjithë jetën time dhe i jam mirënjohës aktorëve të mi”, tha Almodovar, duke i përmendur një e nga një dhe duke i thirrur pranë tij.
Penelope Cruz shpërtheu në lot, e bashkë me të edhe protagonisti Antonio Banderas. Zakonisht Kana shfaq vetëm premiera botërore, por festivali ka bërë një përjashtim për filmin më personal të Pedro Almodovarit.
I shfaqur në Spanjë dhe Meksikë në mars, filmi është një psikodramë në lidhje me të shkuarën e regjisorit, ne Antonio Banderasin, që për t’iu përshtatur rolit të autorit ka lënë mjekër, dhe Penelope Cruzin, që luan nënën e tij.
Ndaj askush nuk habitet që ky është filmi më i madh spanjoll i vitit, të paktën deri më tani.
Top Channel