Tërheqja e mazhorancës nga taksimi i plastikës ngre një sërë pikëpyetjesh për efektet që kjo masë do të ketë në ndotjen e ambientit.
Në fund të vitit të kaluar, kur miratoi paketën fiskale në Parlament, qeveria e argumentoi taksimin e lëndës së parë plastike si një masë të domosdoshme, e cila përveçse përmbushte një rekomandim të Bashkimit Europian, mbronte edhe mjedisin.
Në paketën, e cila hyri në fuqi nga data 1 janar taksa për importin e lëndëve të par plastike që përdoren për prodhimin e ambalazheve në vend u vendos në 25 lekë për çdo kilogram.
Por kur nuk kanë kaluar as 5 muaj nga hyrja në fuqi e taksës, deputeti socialist Ilir Beqja ka propozuar një amendament për ta ulur atë me 2.5 herë, pra nga 25 lekë për kilogram në vetëm 10 lekë për kilogram. Madje përveç uljes drastike, projekt-ligji i propozuar nga Beqja përjashton nga taksa fare një sërë materialesh plastike, të cilat përdorën: në industrinë e ndërtimit, industrinë e mobilierisë dhe atë të prodhimit të bojërave.
Në relacionin shoqërues të projektligjit Beqja e justifikon uljen e taksës si një masë për të nxitur bizneset vendase që prodhojnë ambalazhet, por në asnjë moment nuk përmend efektet që kjo masë do të ketë në ndotjen e ambientit.
Nisma e zotit Beqja, e cila duket se ka nga pas edhe mbështetjen e qeverisë, hap një debat të ngjashëm me atë të importit të mbetjeve. Edhe atëherë, qeveria tentoi që të lejojë importin e mbetjeve për të favorizuar industrinë vendase të përpunimit të tyre. Por projektligji hasi në kundërshtimin e fortë të publikut duke e detyruar qeverinë në tërhiqet, të paktën përkohësisht.
Këtë herë edhe pse efektet bien sërish në mjedis, barra mbi plastikën, që përbën një nga ndotësit kryesorë të ambientit po ulet në mënyrë drastike, si për ambalazhet që vijnë nga importi ashtu dhe për ato që prodhohen në vend.
Top Channel