Louis Vuitton vjen me një risi. Në panairin “Viva Tech” në Paris, grupi luksoz “LVMH”, lider në fushën e modës, prezantoi një çantë dore të pajisur me ekranë të lakueshëm, një inovacion ky i rezervuar për “smartphone”-t më të fundit.

Çantat do të hidhen në treg në vitin 2020.

Çanta “Louis Vuitton”, marka e parë e modës në botë, që lë pas “Chanel” dhe “Guccin” sa u takon fitimeve, vjen me dy modele: njëri i rrumbullakët, me dy ekrane të harkuara që i përshtaten formës; e modeli tjetër i pajisur me 4 ekrane, të rrethuara sigurisht me lëkurën e famshme të shtëpisë së modës.

Teknologjia e përdorur nga “Louis Vuitton” është prodhuar nga “Royole”, një “start up” kinez me zyra në Kaliforni, që bashkë me pak prodhues të tjerë në tregun e “smartphone”-ve po hapin epokën e ekraneve të palosshme.

I pyetur për të ardhmen e komercializimit të prototipit të çantave të tij, të pajisura me këto ekrane, Bernard Arnault, president i grupit u përgjigj:

“Do të duhet edhe pak kohë derisa të arrijnë në dyqane, por ato po vijnë”.

Në panairin e inovacioneve “Viva Tech” në Paris, që dedikohet teknologjive të reja, ekipi “Louis Vuitton” la të kuptohet se çantat do të dalin në treg në gjysmën e dytë të vitit 2020, me një çmim që ende nuk është specifikuar.

Ekranet e çantave, që po ashtu funksionojnë me prekje (touch), mund të shfaqin imazhe apo video të zgjedhura nga pronari i çantës nga “smartphone” i tij. Ekspertët nuk i habit aspak fakti që “Louis Vuitton” interesohet për këtë teknologji, pasi si një gjigant luksoz duhet të ofrojë risi dhe ekskluzivitete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA