Skuadra kampione e vendit në Basketboll për meshkuj do të përcaktohet pas ndeshjes së pestë mes Teutës dhe Goga Basket.
Në ‘Ramazan Njala’ skuadra durrsake ishte ajo që fitoi sfidën e katërt në këtë finale me rezultatin 81-71 duke vendosur ekuilibrin në serinë e këtyre përballjeve në 2-2.
Teuta pati meritën që mori kryesimin e sfidës që në fillimin e saj duke e mbyllur periodën e parë 23-18. Goga u përpoq të reagojë në 10 minutëshin e dytë, por durrsakët iu kundërpërgjigjën dhe shkuan në pushimin e ndeshjes me avantazhin 48-35.
Me rikthimin e skuadrave në parket, u vu re që Goga Basket arrinte në momente të ngushtonte diferencën duke e çuar atë deri në 5 pikë 66-61, por Teuta ishte në gjendje që të administronte me qetësi avantazhin e krijuar për të mbyllur krejt takimin me rezultatin 81-71 dhe tani do të duhet ndeshja e pestë për të mësuar skuadrën kampione, sfidë që do të luhet në parketin e Goga Basket.
Për t’u theksuaer është se Teuta për të dytin vit radhazi luan finalen e titullit në basketboll për meshku në ndeshjen e pestë. Sezonin e kaluar skuadra durrsake u përball me Tiranën ndaj së cilës humbi 2-3, kështu që ky është rasti më i mirë për këtë ekip që të arrijë triumfin.
Top Channel