Krimi në Holandë dhe vizat, Lleshaj: Politikë e brendshme, të dhënat holandeze tregojnë të kundërtën

15/05/2019 00:02

Në pjesën e fundit të emisionit “Top Show” të Alban Dudushit, ku ishte i pranishëm për një intervistë të gjatë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u diskutua mbi rrezikun e paralajmëruar nga Holanda për kthimin e vizave në zonën “Schengen”.

Argumenti që bëri Parlamentin holandez të votonte për rivendosjen e regjimit të vizave me shqiptarët ishte kriminaliteti shqiptar në Holandë. Cila është përmasa e këtij kriminaliteti sipas ministrit Lleshaj dhe a përbën një shqetësim real?

“Kjo është një temë për të cilën mua më vjen keq që jemi përmendur në këtë farë pike. Kriminaliteti shqiptar në Holandë, po të shohim të dhënat e Open Data të vet shtetit holandez, është në nivele aq të ulëta sa neve na e kalojnë edhe krimet e shkaktuara prej dy vendeve të vogla baltike, si Letonia dhe Lituania”, tha ministri Lleshaj.

Të gjithë këtë fushatë, për të cilën ministri i Brendshëm tha se po punohet intensivisht për bashkëpunim me autoritetet holandeze, ai e konsideroi si diçka që bëhet për arsye politike dhe pikërisht tani përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

“Megjithatë, ne do të bëjmë të pamundurën që përmes këmbimit të informacionit me homologët tanë në Holandë të mund të arrijmë të godasim autorët e krimeve atje, tani sa nuk është vonë, pasi kriminaliteti nëse nuk ndëshkohet gjen përhapje”, tha ministri Lleshaj.

Por përse shqiptarët bien në sy dhe përbëjnë lajm?

Ministri Lleshaj tha se kërkesa e Parlamentit holandez do të shkojë në Parlamentin Europian dhe do të përbëjë një sinjal, por Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje që të tregojë se liria e fituar e qytetarëve për të lëvizur lirshëm në zonën “Schengen” nuk do të preket.

“Kriminaliteti nuk është i vetmi faktor, që në të vërtetë është shumë minimal. Faktor tjetër është edhe azilkërkimi i qytetarëve, ndaj ne duhet të jemi gatshëm të garantojmë se nuk do të rriten këto shifra, që do të ndikonin pastaj në një vendim politik kundër nesh”, tha Lleshaj.

Top Channel