Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” për 20 nga 50 protesuesit që u prangosën menjëherë pas tubimit të 11 majit në Tiranë, gjatë të cilit – siç tha prokuroria – institucionet u sulmuan me molotovë e sende të forta.

Për 11 protestues gjykata shpalli “arrest shtëpiak”, ndërkohë që 19 të tjerë përfituan nga mosha fare e re, ndaj edhe morën masën “detyrim paraqitjeje”.

Por, për të gjithë protestuesit që shihen nga akuza si njerëzit që u sollën dhunshëm edhe me policinë, gjykata konstatoi se arrestimi i tyre është i ligjshëm. Edhe pas shpalljes së verdiktit, të dyshuarit protestuan duke akuzuar gjykatën.

“Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Tiranës. U shpall sot në datën 14.05.2019. Seanca deklarohet e mbyllur”, tha gjyqtari Arben Micko.

“Më lanë në arrest shtëpie. Ne s’kemi lidhje fare me këto. Vijnë e na kapin në Tiranë pa pikë lidhjeje. Ky është tamam gjyq politik”, tha një prej protestuesve në sallë.

Avokatët pretendojnë se ndaj të rinjve të arrestuar për protestën e 11 majit, që kulmoi me molotovë në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit, janë depozituar vetëm raportet e shërbimit dhe ende nuk janë dorëzuar pamjet filmike që implikojnë secilin.

Por, prokurorët e çështjes deklaruan se ka prova dhe dyshime të arsyeshme për çdonjërin. Për këtë rrethanë, akuza dhe mbrojtja janë përplasur edhe më herët për të prangosurit e protestave të nisura që prej datës 16 shkurt.

“Të gjithë këta të rinj, të gjithë këta qytetarë shqiptarë që protestojnë kundër qeverisë do t’i konsiderojmë si të burgosur politikë. Në pushtetin e ardhshëm të Partisë Demokratike do të dëmshpërblehen në përputhje me legjislacionin përkatës për të burgosurit politikë. Sa për Ramën, ta ketë të qartë: Fundi i tij është i padiskutueshëm, i paevitueshëm”, tha Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së.

Disa nga të afërmit e protestuesve reaguan pas seancës.

“Më lironi djalin, është në burg sepse i ati është demokrat”, tha një zonjë.

Procesi u ndoq edhe nga ish-deputetë të opozitës së bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA