Kjo foto quhet Gjon Pali dhe e bija dhe i përket vitit 1913. Autor i saj është Kolë Maca.
Emrin e Kolë Macës nuk e kishim ndeshur deri para pak vitesh, derisa shpaloset me profilin e duhur në studimin monografik “Pikëllim në një foto të vjetër” me autor Qerim Vrionin. Po çfarë ka të veçantë kjo fotografi nga ana artistike dhe dokumentare?
“Të gjitha të ngacmojnë. Sidomos fytyra e kësaj vajzës. Është tipike shqiptare. Nuk është vajtim me britma, me ulërima. Është një vajtim i heshtur. Një trishtim, një pikëllim i thellë. I pagojë”, deklaron Vrioni.
Sipas Vrionit, Kolë Maca diku haset me emrin Niccolo Maca e diku tjetër edhe Kolec Maca. Ndërkohë, në Shkollën Shkodrane të Fotografisë, emri i Macës paska pasur peshë specifike. Por, e veçanta është që pas kësaj fotografie qëndron një odise.
“Publikimi i parë i kësaj fotografie është bërë në një shtojcë kulturore “Domenica del corriere” e gazetës italiane Corriere della Sera. Për këtë foto dixhitura thoshte: Një grua shqiptare pranë babait që po vdes nga plagët e marra në luftë. Pastaj, diku e gjeta më vonë tek një botim i At Justin Rrotës, po për rrethimin e Shkodrës. At Justin Rrota ka këtë meritë që thotë Gjon Pali, i pari që i ve emrin këtij personi”, thotë Vrioni.
14 foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës, të cilat ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, e pasurojnë librin. Ndërsa “Gjon Pali dhe e bija” vërtet është kryevepra e tij, për nga realizimi simbolik gjithëpërfshirës. Autori në këtë libër shtjellon edhe vdekjen e njeriut dhe pasvdekjen në arte, pasvdekjen në fotografinë botërore dhe në atë shqiptare.
Top Channel