I ftuar në studion e “Top Show”, përballë gazetarit Alban Dudushi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli për situatën e kriminalitetit në Vlorë.

Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, konsideroi qytetin e Vlorës si qytetin me kriminalitetin më të lartë në vend. Por, a ndan edhe ministri Lleshaj të njëjtin qëndrim me të?

“Pamja që sheh policia dhe ajo që sheh Prokuroria nuk janë identike. Policia referon më shumë raste, prej të cilave Prokuroria i lë mënjanë disa. Kriminalitet të organizuar ka pasur dhe është zhvilluar prej vitesh në Shqipëri”, tha Lleshaj.

Sipas ministrit, shumë prej rasteve janë larje hesapesh dhe nuk është bërë mjaftueshëm punë për të vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës.

“Kemi krim shumë, edhe një vrasje është shumë. Të thuash që kemi shumë krim nuk je kurrë gabim. Sivjet, krahasuar me vitin e kaluar, jemi thuajse në të njëjtat nivele, por prap është shumë sepse bëhet fjalë për jetë njerëzore”, tha më tej ministri.

Ministri shtoi se klima e ankthit, e urrejtjes që prodhojmë vet ne si shoqëri kontribuon në rritjen e kriminalitetit në vend. Shqetësimi më i madh është krimi i organizuar, jo krimi tjetër i zakonshëm që ka të bëjë me rendin publik, sigurinë publike etj..

I pyetur se çfarë po ndodh në Vlorë, ku janë shënuar tri atentate në një periudhë kohe shumë të shkurtër, dhe a është qyteti bregdetar më i vështiri për t’u menaxhuar sa i përket kriminalitetit, ministri i Brendshëm tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi krim të organizuar ka pasur në Vlorë, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, etj..

“Ne kemi ngritur struktura task force me një agjendë shumë të qartë dhe objektiva shumë të qarta, jo vetëm për Vlorën, por për të gjitha qytetet e tjera dhe pritshmëritë në këtë proces janë të larta”, u shpreh Lleshaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA