Kosova në borxhe për energji/ 18 milionë euro për furnizimin e komunave të banuara nga serbët

14/05/2019 12:20

18 milion euro është borxhi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike në Kosovës që e ka deri tani ndaj Rrjetit Evropian, si pasojë e tërheqjes së energjisë elektrike në mënyrë të pa autorizuar me qëllim të furnizimit të katër komunave veriore.

Ky borxh po akumulohet si pasojë e mos zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energji elektrike mes Kosovës e Serbisë.

Marrëveshja parasheh hapjen e një kompanie në veriun e vendit me qëllim të furnizimit dhe faturimit të komunave veriore.

Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka treguar për Top Channel, se kompania nuk ka aplikuar për licencë duke arsyetuar me vendosjen e masës mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Zëvendës kryeshefi i KOSTT-it, Kadri Kadriu ka treguar se kjo shumë pritet të paguhet atëherë kur Kosovës t’i njihet borxhi që Serbia e ka ndaj saj me rastin e shfrytëzimit të linjave për energjinë transit.

Deri në dhjetor të 2017-ës, energjia elektrike e shpenzuar nga banoret e Mitrovicës Veriore, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin Potokut u është faturuar qytetarëve të pjesës tjetër të vendit.

Kjo praktikë u ndalë pas një vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte nisur si rast nga Avokati i Popullit.

Këto shpenzime janë paguar edhe përmes buxhetit të shtetit. Në marsin e 2018-ës Qeveria mori vendim për ndarjen e 1 milion eurove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA