Kisha katolike në Shqipëri i kërkon politikës të gjejë gjuhën dhe të punojë për të ulur tensionin politik. Të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të 55 ipeshkvijve katolike i bëjnë thirrje liderëve politikë të dy partive të mëdha, kryeministrit Edi Rama  dhe kryetarit te opozitës Lulzim Basha  të ulin armët e konfliktit  të largohen nga gjuha e urrejtjes dhe arroganca  dhe te gjejnë rrugën e dialogut

“ Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdolloj forme dhune dhe vandalizmi! Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do atdheun! Në këtë situatë, ne, me vendosmëri i themi ‘Jo dhunës!’, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur kohët e fundit. Por, ç’është më e keqja, askush nuk kujtohet që, qoftë protestuesit e qoftë punonjësit e policisë janë njerëz, etër, bij e pjesë e familjeve të thjeshta shqiptare”, thuhet ne deklaratë.

Duke u mbështetur në doktrinën shoqërore të Kishës,  ajo shprehet se është  në krah të njerëzve të thjeshtë , të jetës së përditshme që duan të jetojnë të qetë,  të çliruar nga sundimi i dhunës  i korrupsionit i kriminalitetit, papunësisë,  e i  detyrimit të largimit nga vendi  për kushte më të mira .

“Ne nuk jemi për asnjë parti politike dhe nuk mbajmë anën e askujt, por jemi të gatshëm të punojmë me gjithkënd në të mirë të vendit dhe të popullit tonë, në respekt të parimeve shpirtërore, kushtetuese dhe ligjore.

Në situatën aktuale nuk ka kohë më për të humbur, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.

Të mendojmë për të rinjtë tanë dhe të punojmë për përfshirjen dhe punësimin e tyre në bazë të meritave, pa humbur kohë. T’i japim hov fuqisë shndërruese që ka energjia e tyre rinore. Mos t’ua prishim ëndrrat. Mos ta çojmë vendin drejt vetëvrasjes, por drejt rritjes dhe promovimit të së mirës dhe të së bukurës”, përfundon deklarata.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA