Policia e Tiranës ka proceduar 22 persona për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën djeshme të opozitës, ndër ta 7 të arrestuar.

Në datë 13 Maj 2019, rreth orës 18:30 Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe më pas tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Gjatë zhvillimit të tubimit si para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek DPPSH dhe DVP me kapsolla, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim.

Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe QSUT.
Në të gjitha ambientet e përmendura protestuesit si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 7 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive.

Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel