Protestuesit e opozitës nisën marshimin në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku ndodhen aktualisht dhe ku ka nisur hedhja e shashkave dhe flakadanëve në drejtim të saj. Kjo ka sjellë për pasojë thyerjen e xhamave në hyrjen kryesore të këtij institucioni.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i kërkoi militantëve që të ndjekin liderin e opozitës, Lulzim Basha.

“Të gjithë drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pastaj do marshojmë tek Parlamenti i krimit, do marshojmë drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Tiranës”, tha Paloka.

Vlen të theksohet se kjo është hera e parë që protestat e opozitës së bashkuar organizohen edhe përballë institucionit më të lartë të policisë në vendin tonë. Më herët është protestuar para Kryeministrisë, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por jo edhe para Policisë së Shtetit, në godinën e ish-Hotel Arbanës.

Top Channel