Protesta e pestë e opozitës dhe reagimet e fundit të ndërkombëtarëve ishin në fokusin e emisionit “Open” nga Eni Vasili këtë të hënë në ekranin e Top Channel, me të ftuar në panel Alfred Pezën, Berat Buzhalën, Petro Koçin dhe Enton Abilekajn.

Në fakt, pas mesazheve të shumta të ndërkombëtarëve në nisje të protestës, kjo e sotmja që pati edhe një itinerar të përcaktuar mirë, ndryshe nga herët e kaluara, kaloi sërish jo pa incidente, me protestuesit që u treguan më të ashpër pikërisht në ndalesën e tyre në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Përballë Kryeministrisë, prej nga ku nisi protesta-marshim, tashmë kanë mbetur vetëm disa mesazhe që po shfaqen përmes një videomonitori që i pasqyron ato në muret e ekzekutivit shqiptar.

Gazetarët e Top Channel, që ndoqën vijimësinë e protestës hap pas hapi, raportuan drejtpërdrejt edhe për emisionin “Open”.

Anila Hoxha nga Drejtoria e Policisë së Tiranës raportoi se ambientet përreth saj do të kthehen tashmë në vendngjarje, për shkak të dëmtimeve të fasadës së godinës, me thyerjen e xhamave si pasojë e hedhjes së flakadanëve, shashkave dhe bombave molotov, teksa protestuesit thërrisnin në kor: Lironi vëllezërit tanë!

Edhe pse u kërkua një distancim nga elementët e dhunshëm të protestës nga ndërkombëtarët, sërish akte të tilla nuk u shmangën, ndërsa drejt Policisë së Tiranës kanë shkuar prokurorë që do të nisin hetimet.

Top Channel