Kryeministri Edi Rama tha se opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë duke bërë thirrje për dhunë. Gjithashtu shefi i qeverisë pretendon se në protestë do të shkojnë për herë e më pak njerëz, sepse ata nuk i besojnë broçkullat e tyre.

“Nuk ka shanse që të rrëzosh një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet ku ti ke qenë pjesë e qeverisë me këto forma. Nuk ka shanse, nuk ndodh. S’ka ndodhur askund dhe nuk do të ndodhë as këtu. E di që synimi është gjetkë. Është që të vendose vendi në kushte pamundësie. Nuk jemi të pagabueshëm dhe as pa gabime, por jemi të vetmit që përpiqemi, pavarësisht se herë ia dalim e herë jo”, tha Rama.

Më pas kryeministri Edi Rama tha se është i gatshëm që të bëjë dialog me Lulzim Bashën.

“Kam një mesazh për mikun tim rrugë-humbur. Kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge, përpara shumë kohësh. Po e përsëris prapë se nuk je vonë akoma që të kthehesh nga kjo rrugë, për një arsye të thjeshte se llogarinë ata që të ndjekin, do ta kërkojnë ty. Nuk ka lider në botë, por ti nuk je lider, që ta tërheqë partinë e vet nga stacioni i alternatives udhëheqëse nga ky stacion që thoshe aman ik. Unë jam këtu i gatshëm për dialog, për të diskutuar me Lulzim Bashën. I kanë djegur karriget e tyre dhe janë popull.  Ulemi, flasim dhe kthejmë në nisma ligjore shqetësimet që ata kanë për të përmirësuar jetën e popullit, nëse kjo nuk është një luftë e ulët për të bërë një pazar. Të ulemi dhe të flasim për çdo shqetësim. Të ulemi, të flasim për çdo gjë, së ndryshe më herët se vonë, turpi do t’i ndjek pas gjithë kohës, ata të cilët kanë ende mundësi që të kenë turp”, ishte ftesa që bëri Rama.

 

Top Channel