Në konferencën për shtyp gjatë pasdites së të dielës, Lulzim Basha ishte me tone më të qeta sesa në protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa paralajmëroi Ramën që të mos i kalojë caqet.

“Beteja që ne kemi nisur së bashku nuk është një betejë për pushtet. Nuk është as një sfidë personale midis meje dhe Edi Ramës, sepse sfidën personale në përballjen direkte me të, unë e kam mundur. Por sot nuk jam nisur të mund Edi Ramën, atë e ka mundur lodhja, e ka mundur pushteti 21-vjeçar, e ka mundur zullumi dhe varfëria e popullit, e ka mundur hajnia dhe arroganca. Mos bëj të fortin pas autoblindave, pas gazit lotsjellës. Harroje se do të marrësh dhe do të mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikola Gruevskit”, tha Basha.

Por, për Bashën, largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm dhe më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.

“Ose të futemi me kobure në brez, gjë që ne e kemi refuzuar, ose rruga politike që kemi ndjekur duke djegur mandatet, duke mos u bërë më pjesë e një parlamenti ilegjitim dhe duke thirrur shqiptarët të bashkohemi, për çfarë? Që të kenë të drejtën ata t’i zgjedhin kryebashkiakët e ardhshëm, deputetët e ardhshëm, qeverinë e ardhshme”, tha më tej Basha.

Basha u pyet disa herë për kërcënimet ndaj ambasadorit të OSBE-së, por tha se nuk kishte dijeni. Ndërsa më vonë nuk e fshehu ironinë.

“Nuk kam asnjë informacion që ndonjë ambasador të jetë kërcënuar. Nëqoftëse keni, ndajeni me mua. Edhe njëherë si ishte parulla? (‘Borchardt turp të kesh’, iu përgjigj një gazetare) Edhe njëherë se nuk të dëgjoj, edhe njëherë të lutem? (Pas përsëritjes…) No comment!”, ishin fjalët e Bashës referuar mesazhit të shkruar në hyrjen e banesës së ambasadorit Bernd Borchardt.

Top Channel