Pas lajmit të hidhur të dhënë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, se kishte ndërruar jetë edhe ushtaraku i dytë i kontigjentit shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, Klodian Tanushi, kanë reaguar kreu i Shtetit, Ilir Meta, si dhe ai i opozitës, Lulzim Basha.

“I tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të komandantit të kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, major Klodian Tanushit. Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan presidenti Meta, i cili e mbyll mesazhin e tij duke iu drejtuar viktimës “heroi ynë”.

“U prehsh në paqen e përjetshme heroi ynë!”.

  Ndërron jetë ushtaraku i dytë në Letoni

Me hidhërim të thellë për mësimin e lajmit reagoi edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“…u nda nga jeta prej plagëve të marra major Klodian Tanushi, komandanti i kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Ju përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes së major Tanushit dhe miqve, kolegëve e të afërmve të tij. Në veçanti, mendimet e mia shkojnë pranë bashkëshortes dhe tre fëmijëve të major Klodian Tanushit”, shkruan Basha.

“Lutem që shpirti i tij të prehet në paqe”, mbyll statusin e tij kreu i opozitës.

Top Channel