Presidenti Meta pret në takim Presidentin e Polonisë, z.Andrzej Duda: Shqipëri-Poloni, partneritet i shkëlqyer dhe në rritje
Presidenti Ilir Meta priti në një takim kokë më kokë homologun e tij polak, Andrzej Duda, vetëm pak pas samitit të udhëheqësve të procesit të Brdo Brijunit, që u zhvillua dy ditët e fundit në Tiranë, ku kreu i Polonisë vinte si i ftuar nderi.
Në takimin dypalësh, që u pasua edhe me delegacione më të gjera më tej, u vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira e miqësore mes vendeve dhe popujve tanë, që sipas kreut të shtetit shqiptar janë më të thella sesa marrëdhëniet diplomatike.
Vizitën e Dudës në Tiranë, Meta e konsideroi një mesazh të qartë mbështetës për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të agjendës europiane. Të dy krerët e shteteve ndanë mendimin se duhet bërë më shumë sa i përket nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, e veçanërisht në fushën e turizmit që vlerësohet me potenciale të mëdha në rritje.
Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhduar dhe të qartë të Polonisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e në mënyrë të veçantë për çeljen sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit.
Duda do të jetë organizatori i samitit të ardhshëm për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të “Procesit të Berlinit”, gjë për të cilën Meta shprehu besimin se ai samit do t’i çojë më tej projektet e nisura zhvillimore për rajonin tonë. Meta nënvizoi se një nga çështjet më urgjente mbetet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Presidenti i Republikës do të vizitojë Poloninë më 1 shtator të këtij viti, me ftesë të homologut Duda.
Top Channel