Pas dosjeve për shitblerjen e votave, e shumë e shumë hetime të tjera, përfshi edhe Shullazin, Arta Marku e ftuar në “Open” nga Eni Vasili foli edhe për dosjen “Tahiri”.

Sigurisht bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm të kabinetit Rama 1, Saimir Tahiri, dosja e të cilit nuk përfaqësohet sot nga prokurorët që e nisën hetimin.

Hajdarmataj u shkarkua nga drejtues i Krimeve të Rënda një vit më parë, Elizabeta Imeraj u emërua drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërsa Gentian Osmani u zgjodh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Të gjithë këtë, Marku e quajti jo plotësisht të vërtetë, teksa tha se prokurorët kanë qenë pjesë e grupit hetimor prej 6 të tillë gjithsej. “Nuk besoj se 3 prokurorë janë pak për të përfaqësuar një çështje të tillë, të cilën e kanë pasur prej fillimit”, tha Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, duke hedhur poshtë kështu se “ka larguar prokurorët më të rëndësishëm” nga hetimet.

“Në Prokurori nuk ka prokurorë më të rëndësishëm sesa të tjerët, janë të gjithë njësoj, ndërsa grupi i prokurorëve udhëhiqet nga kreu i Prokurorisë”, tha Marku.

Top Channel