Për shkak të disa dosjeve, akuza të shumta janë hedhur në drejtim të kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. E ftuar në “Open nga Eni Vasili”, ajo u pyet për hetimet e dosjes së shumëpërfolur “Shullazi”.

“Shtatori i vitit 2018 përkon me gjyqin ndaj Shullazit, që ishte në fazën e konkluzioneve përfundimtare, ku prokurorët duhet të shprehnin kërkesat përfundimtare për akuzën e të pandehurve. Drejtuesja e Krimeve të Rënda mori papritur një njoftim përmes postës zyrtare nga prokurori i çështjes, i cili ishte jo mirë nga gjendja shëndetësore dhe nuk e dinte se kur mund të bëhej mirë për të dalë në punë. Për shkak të afateve, ajo duhej të caktonte një prokuror apo një grup prokurorësh për çështjen në fjalë. I njoftoi prokurorët për shortin, ata u paraqitën por refuzuan që të marrin pjesë në short. Pavarësisht se drejtuesja e Krimeve të Rënda u kishte siguruar se nuk do të ishin vetëm në këtë çështje. Një pjesë e tyre nuk pranuan dhe u larguan në mënyrë demonstrative”, tha Marku.

Ajo nuk ka qenë e pranishme dhe pavarësisht se mori informacione për debate me tone të ashpra, por jo për konflikt fizik. Pas kësaj nisi hetimi disiplinor për 10 prej tyre, përfshi 3 të rëndësishëm, njëri prej të cilëve kandidon sot përballë saj për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas saj, për shkak të natyrës së çështjes, u stepën dhe nuk e morën përsipër. Por a kishte presion nga Shullazi? “Për presione të kësaj natyre nuk jam informuar asnjëherë”, tha Marku.

Hajdarmataj, Çela dhe Muhametaj u transferuan në Pogradec, Berat dhe Pukë.

“Këto nuk janë masa, por transferime të përkohshme në bazë të dispozitës që ju lexuat në fillim të emisionit, me qëllim që të funksionojë sistemi. Prokuroritë ku ata u transferuan kishin bërë kërkesa për shtim personeli përkohësisht për shkak ngarkese”, tha Marku.

Sipas leximit të Markut të dispozitës në fjalë, ato nuk ishin transferime, por caktime të përkohshme, gjë që nuk ia ndalon askush Prokurores së Përgjithshme.

Prokurorët në fakt nuk kundërshtuan shortin, por procedurën. Këtë, Marku e quan lojë fjalësh, pasi ata e dinin se ata ishin aty pikërisht për hedhjen e shortit.

Top Channel