Për herë të parë në parlamentin shqiptar është ulur një deputet me papion. Ai është Kujtim Gjuzi, i cili ishte kujdesur që veshjen ta kishte kuq e zi për debutimin e parë si ligjvënës.

“Betohem, se do të jem gjithmonë përkrah qytetarëve”, u betua Gjuzi.

Pas betimit, Gjuzi që vjen nga listat e PD Durrës, tentoi të bëj protagonistin duke tentuar t’i drejtojë disa pyetje guvernatorit Gent Sejko, por hovin ia ndali kryeparlamentari Ruçi duke i treguar rregulloren.

“Ju thatë, që s’keni pyetje. Por në fakt unë jam ekonimist me profesion e do të doja t’i bëjë disa pyetje Guvernatorit” tha ai.

U betuan edhe Koci Tahiri nga listat e PD si dhe Klajdi Qama nga ato të LSI. Surprizues u paraqit në kuvend kandidati për deputet Indrit Hoxha.

Momentin kur ai duket të shqiptonte fjalën betohem, ndodhi e kundërta. Indrit Hoxha lexoi një deklaratë përse nuk pranonte mandatin.

“Ky nuk është Parlament, por galeri e krimit. Fundi i kësaj farse kriminale është i afërt. Unë refuzoj të bëj betimin dhe të marr mandatin sepse ai mandat i takon popullit dhe jo kriminelëve, hajdutëve dhe delenxhinjve që ndodhen sot këtu”, tha Indrit Hoxha.

Hoxha u largua menjëherë nga salla e Kuvendit duke iu bashkuar bashkëmoshatarëve të FRPD-s dhe LRI-s që protestuan në mënyrë simbolike me kartona të kuq pasi sipas tyre BE ia ka mbyllur dyert Shqipërisë për shkak të keqqeverisjes së kryeministrit Rama.

Top Channel