Subvencion, infrastrukturë dhe ndalim të konkurrencës së pandershme janë tre shtyllat e mbështetjes për fermerët, deklaroi nga Korça kreu i PD, Lulzim Basha.
“Ne do të kemi një skemë vjetore prej 100 mln euro subvencione për fermerët. Ekspertët më të mirë po ndërtojnë skemën se si do ndahen subvencionet. Kriteret kryesore janë sipërfaqja e tokës që kultivohet dhe numri i krerëve që do mbarështohen. Kriteri tjetër do të jetë sasia e produktit dhe do të ketë një shkallare për të nderuar si prioritar produktin shqiptar. Subvencionet do të jenë shtylla e parë në mbështetje të fermerëve, 100 mln euro për 360 mijë familje fermere.
Shtylla e dytë është mbështetja për infrastrukturën. 50 mln euro në vit për infrastrukturën bujqësore, rrugët e fshatrave, aksesi nëpër ara, shtrirja e linjës elektrike për rrjetet ujitëse, këtu hyn edhe subvencionimi i infrastrukturës ruajtëse dhe përpunuese, si depot, magazinat, etj. Imagjinoni sa mjerim më vjen në shpirt kur ju i kërkoni kryetarit të bashkisë një pikë për të hedhur produktet tuaja, pra një varrezë për prodhimet tuaja. Kurrë s’do ta pranoj këtë realitet.
Të ndalet konkurrenca e pandershme nga prodhimet e subvencionuara është kolona jonë e tretë. Trau për këtë konkurrencë të pandershme. Fermerët shqiptarë janë të parët për Partinë Demokratike. Pra, në fillim do të shitet molla e Devollit, pastaj do t’u vijë radha të tjerëve”, tha Basha.
Top Channel