Drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, kanë zhvilluar sot mbledhjen e parë me praninë edhe të ndërkombëtarëve.
Si Gjiknuri edhe Hajdari kanë vënë theksin te bashkëpunimi mes palëve për të arritur një sistem zgjedhor që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në fjalën e tij, Gjiknuri kërkoi edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, në mënyrë që kjo reformë të arrihet sa më parë.
“Uroj të krijojmë një klimë të mirë bashkëpunimi. Bashkë kemi mundur, kur ishim në opozitë, të bisedojmë, të gjejmë marrëveshjet e duhura dhe të kalojmë reforma konsensuale. Zgjedhjet këtë vit kanë përmirësime. Me kimën e mirë të bashkëpunimin do kemi mundësi të kemi produktin më të mirë. Kërkoj mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe atyre që janë këtu për të na mbështetur qoftë me një kontribut modest. OSBE e ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë asistencë, ne e mirëpresim. Presim dhe donatorët e tjerë për bashkëpunim dhe mbështetje”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, Rudina Hajdari vuri theksin te një sistem i ri zgjedhjeje, duke deklaruar se sistemi aktual është i dominuar nga anti-kushtetueshmëria: “Ndaj opinion të ndryshëm nga Gjiknuri, por kjo nuk do të thotë që nuk do bashkëpunojmë, pasi jemi këtu për një arsye të vetme, ndryshimi i sistemit politik. Sistemi aktual është i dominuar nga antikushtetueshmëria, klasa politike nuk është e përfaqësuar nga njerëzit, por përfaqësohet në mënyrë të padrejtë në Kuvend. Shqiptarët janë të interesuar për këtë reformë. Kjo reformë kërkon vullnet të gjerë politik. Në këto tri dekada komisionet nuk kanë prodhuar reforma të mira. Duke marrë parasysh sfidën e madhe që kemi përpara, fakti që jemi ulur këtu tregon se ka një konsensus të gjerë për diskutim për ndryshimin aktual të sistemit”.
Top Channel