Nis Reforma Zgjedhore. Komisioni mes PS dhe opozitës së re në Kuvend

07/05/2019 20:18

Në karriget bosh të demokratëve dhe aleatëve të cilët dogjën mandatet, u ulën deputetët e rinj, por socialistët e lanë të hapur derën për opozitën jashtëparlamentare.

Komisioni i riformatuar i Komisionit të Reformës Zgjedhore u konstitua në prani të trupit diplomatik. Mesazhin për rëndësinë e kësaj reforme e dha ambasadoria gjermane, Susanne Schutz: “Ne besojmë se Reforma Zgjedhore dhe në veçanti zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbeten detyra të rëndësishme dhe ju e dini që kjo është mjaft e rëndësishme edhe për vendimin e Këshillit Europian në qershor. Është për të ardhur keq që PD dhe LSI nuk e kanë pranuar ftesën tuaj për t’u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm”.

Krahas pranisë së diplomatëve të huaj, mbledhja nuk shkoi e qetë. Opozitarët e rinj këmbëngulën tek ndryshimi i sistemit, ndërsa palët u ndanë sa i takon afateve të zbatimit te rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, për të cilën socialistët propozuan të ishte 30 qershori.

“Sistemi aktual politik është i dominuar nga antikushtetueshmëria. Kemi arritur në një pikë ku një mandat deputeti kushton gati 1 milion euro”, deklaroi Rudina Hajdari.

OSBE pranoi të jepte ekspertizë, por jo rolin e arbtrit.

“Për sa I përket rishikimit të sistemit zgjedhor ne do të jemi në gjendje të mbështesim punën e komisionit dhe gjithashtu nuk do të ketë rekomandime nga OSBE cili do të ishte sistemi më i mirë për vendin tuaj pasi këtë duhet ta zgjidhni vetë, por ne kemi një përvojë të akumuluar për secilin sistemin që ju do të zgjidhni” – tha Ambasadori i OSBE.

Socialistet propozuan që brenda muajit maj të zbatohen rekomandimet e OSBE Ohdir ndërsa ndryshimi i sistemit zgjedhor, teknologjia në zgjedhje dhe vota e emigrantëve të lihej për në vjeshtë, por për shkak të mosdakortësisë miratimi i këtyre afateve u shty për një mbledhje të dytë.

Top Channel