Mbretërimi kryebashkiakëve me tre apo më shumë mandate duket se nuk do të marrë fund edhe në zgjedhjet e pritshme lokale të 30 qeshorit.
Hapin e parë të pjesshëm, për t’i dhënë fund qeverisjes lokale nga kryebashkiakë të përjetshëm, e ka hedhur Partia Socialiste me moskandidimin e Qazim Sejdinit në Elbasan dhe me gjasë të Vangjus Dakos në Durrës.
E ndërsa për Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon është duke u përdorur ky standard, i paprekshëm mbetet kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, në krye të kësaj bashkie që prej vitit 2000. Ai ka 19 vite që merr pagën si kryebashkiak në një nga bashkitë me shumë probleme si Maliqi.
Socialistët kanë projektuar përsëri Topçiun për garën e 30 Qershorit për Bashkinë e Maliqit, duke ia çuar në 6 mandatet si kryebashkiak ose 23 vite në këtë detyrë.
Disa javë më parë, përfaqësuesit e PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve propozuan kufizimin e mandateve të kryebashkiakëve.
Por, kjo iniciativë e tyre u kundërshtua nga përfaqësuesit e PD-së.
Mesa duket, shkaku kryesor i kundërshtimit lidhet me një emër të njohur të pushtetit vendor. Ai është Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, i cili nëse demokratët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, atëherë zoti Mziu do të garojë për mandatin e pestë, duke u bërë kështu një nga kryebashkiakët më jetëgjatë në këtë detyrë në një bashki të madhe siç është Kamza.
Si Maliqi i socialistëve, apo Kamza e demokratëve janë kthyer në bastione politike, ku duket se nuk ka më garë dhe vend për rotacion dhe ide të reja qeverisëse lokale. Këto dy bashki nuk janë në rreshtin e atyre që kanë pësuar ndryshim për mirë, përkundrazi. Për shkak të mbretërimit të një kryebashkiaku, problemet nuk janë zgjidhur, por thelluar akoma më shumë.
Top Channel