Për të 29 vit radhazi politika shqiptare e ndarë kujtoi këtë 5 Maj të rënët në luftën për çlirimin e vendit, nga ku fillimisht sipas protokollit shtetëror, Presidenti dhe kryeministri vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.

5 Majin, Presidenti Ilir Meta e vlerësoi si të veçantë për të gjithë popullin shqiptar: “Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht”.

30 minuta më pas, kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe paraardhësi i tij Sali Berisha zhvilluan ceremoninë e tyre. Lulzim Basha me një tufë me lule iu drejtua edhe varrezave të 20 intelektualve të vrarë nga komunizmi si dhe varrit të Pishtarit të Demokracisë, Azem Hajdari.

“Përkulemi sot me nderim të thellë para bijve të Shqipërisë, të Kosovës, para bijve të shqiptarëve të Maqedonisë e të Preshevës, të cilët luftuan së bashku luftërat e fundit çlirimtare për lirinë e Kosovës, për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut. Sot është po kështu një ditë që secili prej nesh të ndjejë në shpirt dhe mbi supe peshën e rëndë të sakrificës që ky komb ka paguar për liri e bashkë me të edhe bekimin e Zotit për të bërë gjithçka për ta mbrojtur atë me çdo kusht, para çdo tiranie, para çdo tirani”, deklaroi Basha.

Kur udhheqësit e lartë të shtetit dhe opozita mbaruan homazhet, vendin e tyre e zunë anëtarët e Partisë Komuniste dhe nostalgjikët e Enver Hoxhës.

“Enver Hoxha është person që ka zënë vend në zemrat e shumicës së popullit”, thotë një komunist.

Kryeministri Edi Rama e vijoi traditën duke zhvilluar një takim me veteranët e luftës.

Top Channel