Policët e rënë në krye të detyrës. Djali i Arben Zylyftarit: Akademisë t’i rikthehet emri i babait

05/05/2019 20:08

Franc Zylyftari është djali i kolonelit Arben Zylyftari, kryepolicit të vrarë në krye të detyrës, gjatë një operacioni policor në Shkodër.

Sot në Ditën e Dëshmorëve, Franci flet për herë të parë nga busti i babait të tij, në Akademinë e Policisë, dhe kërkon vetëm diçka.

“Ajo që kërkojmë ne është rikthimi i emrit të Akademisë së Policisë. Ajo ka pasur emrin Arben Zylyftari dhe vendimi është shfuqizuar”, tregon Franci.

Prej vitit 1990, 224 ekfektivë policie kanë rënë në krye të detyrës, por a mendon Franci se drejtësia është vendosur për babain e tij?

“E dimë që në Shqipëri drejtësia është e mangët, por besojmë se do të jepet drejtësi”, shprehet Franci.

Lufta ndaj krimit është një luftë e pandërprerë dhe një sfidë për çdo qeveri, por të parët që ndeshen me krimin janë njerëzit e drejtësisë dhe efektivët e policisë. Secili prej yjeve të vendosura në murin e Ministrisë së Brendshme simbolizon një punonjës policie të rënë në krye të detyrës, por gjithashtu janë një simbolikë e fuqishme për të na kujtuar se lufta ndaj krimit vazhdon.

Top Channel