Qyteti i Vlorës, sërish nën ujë. Reshjet e shiut që kanë rënë mëngjesin e sotëm me intensitet të lartë kanë sjellë probleme në disa rrugë dhe lagje të qytetit.

Lagjja “28 Nëntori”, Lagjja “Pavarësia”, “1 Maji”, zona e Skelës si dhe shumë rrugë ndodhen nën ujë. Edhe pse hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, e ka të pamundur përballimin e kësaj situate jo normale të muajit maj.

Ndërkohë që punonjësit e bashkisë ndodhen në terren për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve, situata vijon të jetë problematike për banorët e Vlorës, por edhe për bizneset që ndodhen nën ujë.

Niveli i ujit në rrugë në disa zona shkon deri në 50 cm, kjo për faktin se disa zona në qytet ndodhen pothuajse nën nivelin e detit. Reshjet e shiut vijuan deri pas mesdite në të gjithë rajonin e Vlorës, duke vështirësuar më tej situatën.

Kjo situatë përsëritet në qytetin e Vlorës sa herë ka reshje shiu.

Top Channel