Një operacion i kryer në bashkëpunim mes policisë së Shkodrës, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit RENEA dhe forcat “Shqiponja” të kryeqytetit, ka sjellë arrestimin e dy personave, njëri i shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa tjetri i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
Barush Bregu, 33-vjeçar i lindur në Shkodër, është arrestuar këtë të shtunë në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, në operacionin policor të koduar “Kompleksi”, i dyshuar si pjesë e një grupi të njohur kriminal dhe që strehohej në një banesë të marrë me qira.
Ai rezulton i dënuar me 4 vite burgim për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim, vepër që daton nga viti 2016, ndërsa ka pasur edhe një masë sigurie “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje, pasi në shtator të vitit të kaluar është gjetur në banesën e tij një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
I skeduar nga policia si pjesëtar i një grupi kriminal, ai është i dyshuar si autor edhe për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në Qarkun e Shkodrës. Në pranga ka rënë edhe 21-vjeçari B.Ç., nga Shkodra.
Top Channel