Veliaj: Zgjedhjet do të mbahen. Socialistët do të luftojnë për mandatet në të 61 bashkitë

03/05/2019 19:34

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, njëherësh kandidati socialist për këtë bashki, i cili kërkon një mandat të dytë nga kryeqytetasit, është i bindur se zgjedhjet do të mbahen edhe pa opozitën jashtëparlamentare, madje të majtët do të fitojnë 61 mandatet e Këshillit Bashkiak.

“Siç e thashë, ne do të luftojmë për çdo mandat për të 61 mandatet. Nuk ka rëndësi futen ata ose futen parti të tjera të vogla, për ne marrja seriozisht e fushatës është fillimisht respekt ndaj votuesve”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku kritikoi ashpër protestat e opozitarëve, për të cilat tha se nuk do e ndalin funksionimin e punës në Bashkinë e Tiranës: “Nëse opozita refuzon të sjellë alternativë për Tiranën përveç bllokimit të projekteve, ky është vendimi i tyre. Unë e kam thënë që garën e kemi me veten tonë”.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u miratuan 25 projektvendime, ndër to edhe kthimi i shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare në muze.

Top Channel