Cikloni “Fani” u përplas mbi brigjet lindore të Indisë, me shira të rrëmbyer dhe erëra që mbërrinin shpejtësinë 200 km/h, duke mbjellë frikën në zonat e gjendura në rrugën e tij.
Më shumë se një milion vetë u evakuuan nga shteti lindor i Orissas. Dy persona kanë humbur jetën sipas një zyrtari shtetëror. Në disa zona të ulëta janë raportuar përmbytje, e më të kërcënuara janë shtëpitë e ulëta. Stuhia preku tokën në qytetin turistik të Purit, i cili është shtëpi e tempullit 858-vjeçar “Jagannath”.
Orissa, që duket do të bartë peshën kryesore të ciklonit të dhunshëm, është një prej shteteve më të varfra të Indisë. Shumë fluturime atje janë anuluar. Qarkullimi me tren po ashtu, e shkollat dhe zyrat qeveritare janë mbyllur.
Në vitin 2017, cikloni “Ockhi” vrau më shumë se 200 vetë dhe zhvendosi qindra, ndërsa tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët në Orissa evakuuan qindra mijëra njerëz, po për shkak të një stuhie të fuqishme.
India, megjithatë, i ka përmirësuar mbrojtjen dhe përgjigjet e saj ndaj katastrofave natyrore, gjatë këtyre viteve të fundit.
Top Channel