Për t’u kujtuar qeverive se e drejta e shprehjes së lirë është detyrim për ta, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 Majin si Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Aristir Lumezi, zv/kryeredaktor i gazetës “Panorama”, shprehet: “T’i themi qeverisë dhe politikës të jetë sa më pak nervoze me median sepse media këtë punë ka, që ta nervozojë sa më shumë”.
Ndërsa Sonila Agostini, gazetare politike, thekson: “Në të gjitha periudhat ka mënyrat e veta të nxjerrjes së vërtetës, të publikimit të saj dhe të presionit që vetë gazetarët kanë me censurën apo autocensurën”.
Në Shqipëri ka 74 televizione, dhjetra gazeta dhe revista dhe mbi 800 portale. Në këto media punojnë me mijëra persona, gazetarë dhe personel teknik. Ata kanë probleme të shumta, që nga informaliteti i madh në mediat “online”, por edhe në televizionet e vogla lokale dhe qendrore.
Bleona Metushi, gazetare kronike thotë: “Prej më shumë se një viti punoj në shtypin e shkruar. Dita ime kryesisht kalon në gjykatë, pastaj pasdite jam në redaksi të shkruaj lajmin dhe çfarë kam ndjekur. Kjo e bën ndoshta dhe pak më të vështirë, se je gjatë gjithë kohës në punë”.
Puna e palodhur e punonjësve të medias për të informuar njerëzit, po sulmohet dita-ditës më shumë, duke krijuar një hendek të madh me publikun dhe median. Sa na beson ne publiku dhe sa efektive është puna jonë? Për këtë kemi pyetur gazetarët.
“Mendoj se beteja e medias vazhdon të jetë e vërteta”, shprehet gazetarja politike Sonila Agostini.
Ndërsa Aristir Lumezi, zv/kryeredaktor i gazetës “Panorama” tregon: “Dua të tregoj një rast të fundit që e jetova vetë. Isha në Kosovë dhe polici më pyet je gazetar, se pa “badge”-n. Thashë po, e ma ktheu “ju jeni nga ata të kazanëve”. Deri në Kosovë ka vajtur negativiteti për median”.
Ndërkohë, Rezarta Delisula thotë: “Misioni që ne kemi detyrim ta japim është një gazetari e lirë”.
Bleona Metushi, gazetare kronike, shprehet: “Ne duhet të bëjmë aq sa na lejojnë një herë, për të provuar se çfarë nuk na lejojnë. Vetëcensura është më keq se censura”.
Top Channel