Nga viti 2008, deri në ditët e sotme, kompanitë që e administruan ARMO-n, kanë krijuar një borxh prej miliona euro. Lojërat e politikës, por edhe keqmenaxhimi i firmave që kanë tentuar që të vënë në punë rafinerinë, kanë sjellë një dëm të pallogaritshëm.

ARMO ka borxhe ndaj, doganave, tatimeve, bashkive, OSHEE-së, ALBPETROL-it, bankave, furnitorëve. Krahas dëmit kolosal manovrat e firmave që administruan ARMO-n në vite sollën edhe probleme sociale te punonjësit.

Dhjetëra punonjës të zjarrfikëses së kësaj rafinerie , që kanë punuar me vite me radhë , janë hedhur në rrugë. Kompania që ka aktualisht prej një viti e gjysmë e ka nën administrim ARMO-n , nuk i ka shkarkuar sipas ligjit “ për zjarrfikësit”, por as i lejon që të futen brenda rafinerisë. Zjarrfikësit gëzojnë statusin e policit dhe ushtarakut për pensionin suplementar.

Sipas ligjit zjarrfikësit duhet të shkarkoheshin me një dokument , që më pas t’u drejtohen sigurimeve shoqërore për pension e asistencë. Kjo firmë këtë gjë nuk e ka bërë , pra as i shkarkon dhe as i merr në punë.

Në Fiks Fare u ankuan pikërisht punonjësit e zjarrfikëses së rafinerisë ku as janë shkarkuar nga puna , por që njëkohësisht as nuk punojnë, madje u është ndaluar hyrja në rafineri. “ Kemi një vit e gjysmë që po endemi rrugëve. Sipas ligjit të vitit 2005 ne kemi të njëjtin status si zjarrfikësit e bashkive, por në momentin e marrjes nën administrim nga Bylis Petrol, na u dha një kontratë e përgjithshme për ta firmosur, por ne kemi status mbrohemi nga ligji” shprehet njëri prej tyre.

“Nëse duan të zbatojnë ligjin atëherë të na pushojnë sipas ligjit , ose në të kundërt të na mbajnë në punë po sipas ligjit” përfundon njëri prej zjarrfikësve. Ata tregojnë se edhe në kohën kur rafineria nuk punonte janë paraqitur në punë , për mos i akuzuar më vonë për braktisje të saj. Nuk harrojnë të përmendin dhe vështirësitë që kanë hasur në punë, ku gjatë një zjarri të rënë një prej punonjësve humbi jetën. “ Tani na lënë në mes të rrugës, kjo është e padrejtë” shprehen njëzëri. Por edhe pse e kanë firmosur kontratën e dhënë nga firma aktuale administruese sërish i kanë pushuar me arsyetimin se janë të vjetër, siç është rasti i një zjarrfikësi që për pak muaj del në pension. “ Të më shkarkojnë pa problem , po të më japin vendimin e shkarkimit “ tha ai.

Fiks Fare kontaktoi me Drejtorin e Shërbimit Zjarrfikës z. Alfred Kristuli i cili u shpreh se zjarrfikësit janë të ARMO-s dhe marrëdhëniet duhet rregullohen midis punonjësve dhe kompanisë fillimisht dhe të Ministrisë së Linjës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai nuk dha një përgjigje të detajuar por i drejtoi tek institucionet shtetërore të cilat mbajnë përgjegjësi.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan edhe Ministrisë së Energjetikës ku kërkuan përgjigje nga zv. ministri Ilir Betja , i cili është marrë personalisht me këtë problematikë, por ai nuk pranoi të jepte shpjegime. Por burime të tjera pranë kësaj ministrie u bënë të ditur gazetarëve të Fiks Fare se së shpejti kjo situatë do të marrë një zgjidhje.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA