Sot është “Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit”. Shqipëria ka një histori të shkurtër të medies së lirë. Pas rrëzimit të komunizmit, mediet shqiptare dhe liria e saj kanë kaluar në shuam sfida, ndërsa është përmirësuar ndjeshëm edhe në përparimin teknologjik.
Sot në ambientet e Fakultetit Filologjik, dega Gazetari, është prezantuar një raport në lidhje me medien dhe gjendjen e shtypit në përgjithësi. Gazetarja e Top Channel, Juli Ristani ka raportuar live gjetjet e raportit, e cila tha se sot sipas kreut të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, sot duhet të ishte një ditë greve. Sipas tij, është një ditë e trisht, një ditë gri sepse sipas tij mungojnë shumë nga elementët që formësojnë këtë pushtet të katërt, siç janë; integriteti, besueshmëria, pavarësia dhe formalizmi, duke qenë se një pjesë e mirë e gazetarëve, gëlojnë në një treg informal.
Për sa i përket raportit, të bëjnë përshtypje disa prej këtyre pikave: Numri i medieve është i lartë, duke marrë parasysh madhësinë e tregut të vendit. Në vendin tonë, me një popullsi prej 2 milionë e 800 mijë, janë 800 media online.
Gjetje të tjera janë, 40% e profesionistëve të medies, deklarojnë se nuk ndihen të sigurt. Rreth 1 në 3 profesionistë të medies nuk do të këshillonin një individ të ri për të ndjekur karrierën në gazetari. 17% e gazetarëve të anketuar, deklarojnë se nuk kanë një kontratë pune apo një marrëveshje punësimi me medien ku punojnë. 1 në 10 e të anketuarve, marrin pagën e tyre ende në dorë, ndërsa 1 në 3, e të anketuarve deklaron se është kërcënuar fizikisht apo verbalisht gjatë kryerjes së punës së tyre. 35% e të anketuarve deklarojnë se ka ndodhur që një lajm apo histori për të cilën kanë punuar, është fshirë nga redaktorët, apo pronari i tyre, pa i informuar fare ata. Shumica e të anketuarve mendojnë se ka gazetarë që ushtrojnë praktika korruptive. Të gjitha këto problematika gjendet të reflektuara tek raport”, tha Ristani.
Top Channel