Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka prezantuar sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ndryshimet në Kodin Penal, si ndëshkim i rëndë i atyre që abuzojnë me shëndetin, dhunojnë njerëzit në  krye të detyrës, apo shkelin fushat e futbollit. Për të gjithë, Rama, deklaroi prerë se ndëshkimi shembullor do të jetë burgu.

Rama premtoi sot ashpërsim të kodit penal do të ketë për dhunuesit ndaj njerëzve që janë në krye të detyrës. “Domosdoshmëria për një përgjigje të prerë ligjore mbi dhunën ndaj të zgjedhurve dhe funksionarëve, që nga salla e parlamentit deri në çdo metër katrorë të Shqipërisë, dhunën ndaj punonjësve të policisë, që nga kundërshtimi me forcë deri tek prekja me gishtin e vogël të uniformës blu, do të ketë ndëshkim me burg. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me bluzat e bardha.

Një tjetër vepër që pritet të futet në Kodin Penal është edhe e drejta e autorit, ku Kryeminstri tha se do të garantohet me ligj.  Sipas tij, vjedhësit apo abuzuesit do të ndëshkohen me burg. Të njëjtin qëndrim ka edhe në lidhje me persona që  kapen me armë zjarri pa leje.

“Në lidhje me rendin dhe qetësinë publike ka nevojë për qetësi publike se ankesat e qytetarëve janë bërë më shumë se çerekshekullore lidhur me mosrespektimin e legjislacionit për zhurmat, rrëmujërat. Paketa e re sjell një ashpërsim të dënimeve për mbajtjen e armëve. Armët shpërthyese, lëndët plasëse pa leje të organeve kompetente”, u shpreh zoti Rama.

Më pas, po në paketën e re të Kodit Penal ai paralajmëroi edhe ndëshkimin e personave që bllokojnë rrugët.  “Nuk mundet që ne ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Nuk e pranon askush, s’ka pse e pranon Shqipëria”- tha kryeministri.

“Edhe krimi mjedisor është ashpërsuar, duke thënë se legjislacioni nuk ka përfunduar duke u kornizuar në Kodin Penal. Dhe prandaj paketa e re përcakton veprat penale të kryera nga persona fizikë dhe juridikë me dashje apo nga pakujdesia, dhe për një sërë aspektesh të gjithë kuadrit të jetës dhe të mbrojtjes së mjedisit. Mjedisi nuk mund të mbrohet vetëm nga një legjislacion administrativ, prandaj duhet të plotësohet dhe me veprat penale”, përfundoi kreu i qeverisë.

Top Channel