Opozita nuk ka rënë dakord me mazhorancën për krijimin e qeverisë tranzitore, por kjo nuk e ka ndalur të prezantojë 10 detyrat, që ajo duhet të kryejë për një proces të lirë dhe demokratik zgjedhor.

“10 detyrat kryesore, zbatimi i të cilave nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor, kërkon vetëm vullnet politik”, tha Lulzim Basha.

Oerd Bylykbashi renditi detyrat e qeverisë tranzitore, e cila ndryshon nga ajo teknike e dy viteve më parë.

“Goditje me tolerancë zero e strukturave politike e kriminale, të përfshira në shitblerjen e votës. Ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë. Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike. Ndalim i prokurimeve, tenderave dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore. Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme në Administratën Publike. Pajisja e shtetasve me letërnjoftime. Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve. Hetim dhe ndëshkim i votimit fiktiv të emigrantëve. Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin. Raport me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe qasje e besueshme e opozitës”, tha Bylykbashi.

Por, cili do të jetë profili dhe përbërja e qeverisë tranzitore?

“Nuk do të jetë një koalicion i madh midis opozitës, koalicionit opozitar dhe Partisë Socialiste. Do të jetë një qeveri provizore, tranzitore me personalitete jashtë konfliktit të interesit”, tha më tej Basha.

Qeverisë trazitore i ngarkohen detyra të mëdha për “supet” e një projekti të përkohshëm, ndaj pyetja që lind është: sa kohë i duhet për të arritur qëllimin?

“Një muaj nuk mjafton, dy muaj nuk mjaftojnë. Nëse do të jetë 4 muaj apo 6 muaj, kjo është një çështje që nuk duhet t’i nënshtrohet spekulimit, por duhet të vijë si një produkt i një diskutimi realist dhe profesional midis palëve”, tha Basha.

Ngritja e qeverisë tranzitore vështirësohet në mungesë të një dialogu me palën tjetër. Por, kryedemokrati ripërsëriti se nuk do të ulet me Edi Ramën.

“Ky komunikim është publik dhe virtyti i këtij komunikimi publik është që, përveçse kur zgjedhin t’i mbyllin veshët…edhe qeveria e dëgjon dhe e kupton se ne kemi një ofertë serioze politike për daljen nga kriza”, deklaroi Basha.

Opozita është e vendosur për të mos lejuar zgjedhje më 30 qershor. Por, për herë të parë Basha bëri një deklarim që tingëlloi si i ri.

“Më 30 qershor vetëm zgjedhje nuk mund të ketë në Shqipëri. Votime po, por edhe ato me standarde ndoshta më të këqija sesa ato të vitit 1985”, tha Basha.

Në tryezën ku ishin edhe aleatët e tij, të cilët kanë bërë publike një platformë, që parashikon ndryshime të thella kushtetuese dhe zgjedhore. Basha kërkoi që çdo ndryshim i tillë të sanksionohet përmes referendumit popullor kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA